Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Nazmi Mulaku, “mjekut” që cili pretendonte se shëronte sëmundje të ndryshme. I njohur me nofkën “Bio Mulaku”, ai dyshohet për veprat penale “Mashtrimi“ dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
Bashkë më të, masa e paraburgimit i është vazhduat edhe bashkëpunëtorit të tij Përparim Ibishit, për të cilin kishte raportuar edhe Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi ka siguruar aktvendimin e gjykatës në të cilën thuhet se arsyeja e vazhdimit të paraburgimit për dy muaj është se ‘ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të cekura më lartë, për të cilat edhe kanë filluar hetimet’. Po ashtu, në aktvendim ceket edhe mundësia e ikjes pasi i pandehuri nuk jeton në Kosovë.
”…kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit e arsyeton me faktin se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale, për të cilat edhe kanë filluar hetimet, dhe kjo në bazë të provave të ofruara nga prokuroria, e të cilat janë bashkangjitur shkresave të lëndës. Përveç kushtit bazik, për caktimin, respektivisht vazhdimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka konsideruar se plotësohen edhe kushtet e veçanta të parapara me dispozitat ligjore nga neni 184 par. 1 nën par.1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 e 1.2.3 të KPPRK-së. Rrezikun e ikjes, apo kushtin nga pika 1.2.1, prokuroria e mbështet në faktin se i pandehuri Nazmi Mulaku nuk jeton në Kosovës, por jeton në Zvicër dhe vije në Kosovë vetëm për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme, sipas termineve të caktuara dhe marrë parasysh se lidhur me çështjen në fjalë ende është faza e hershme e hetimit, ekziston mundësia që nëse të pandehurit lihen në liri, të arratisen dhe rrjedhimisht ta pengojnë zhvillimin e procedurës penale”, thuhet në vendim.
“Dëgjimi i zërave, magjia e zezë, martesat..” – Ja çka pretendonte se “shëronte” Bio Mulaku
Nazmi Malokut i njohur me nofkën “Bio Mulaku” aktivitetin e tij e shpërndante me të madhe në rrjetet sociale.
Madje, ai pretendonte se është “shërues i shumë sëmundjeve që ende s’i ka zbuluar as mjekësia”.
Në njërin nga postimet e tij, Mulaku listonte gjithë sëmundjet që prentendonte se i shëronte.
Krahas kësaj ai publikonte edhe video të personave që shkonin për ‘shërim’ tek ai.