Deputeti i LVV’së në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci, ka ironizuar pas arrestimit të Hafize Sallahut, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Kaçanikut, nën dyshimin për ryshfet si pronare e autoshkollës ‘Tony’ në këtë komunë.
Bajqinovci me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se “s’e paskam ditë që komuna e Kaçanikut shet patent shofer, pra paskan shërbim shtesë”.
Deputeti po ashtu ka përmendur edhe detajin se e dyshuara është kryetare e degës së AAK’së në Kaçanik, shkruan Insajderi.
Sallahu dhe i biri i saj dyshohet se kanë pranuar ryshfet nga kandidatë të ndryshëm për t’ia mundësuar marrjen e patentë shoferëve për kategorinë “B” dhe “C” pa iu nënshtruar testeve.
Ata dyshohen për veprat penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.
Po ashtu janë kontrolluar dy zyre ku kanë sekuestruar dy telefona mobilë, pesë regjistratorë- libra, shtatë fletore regjistrimi, interne dhe xhepi, 64 dosje origjinale të kandidatëve, 21 certifikata mjekësore të shoferëve profesionalë për punë.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
“Pas përfundimet të bastisjes, janë shoqëruar dy të dyshuarit e lartcekur me iniciale, të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, i caktuar sipas detyrës zyrtare. Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Prokurorin përgjegjës të rastit në PTHF, ku pas intervistës, me Aktvendim të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedurë të mëtejme ligjore. Rasti mbetet nën hetime.” /Insajderi.org/