Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për arrestimin e kryshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqin.
Kurti ka thënë se në të kaluarën ka pas keqpërdorime më të mëdha dhe prokuroria nuk ka bërë asgjë.
“Është e vërtetë që dje u arrestuar kryeshefi Nagip Krasniqi. Është sistemii drejtësisë ai që merret me të. Urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Është fakt që pati një gëzim opozitar për arrestimin e tij, është fakt i opozitës jo i çështjes. Në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse por nuk janë trajtuar nga prokuroria. Fitimi i KEK’ut në 2022 ka qenë 107 milionë euro. Udhëheqja e KEK’ut ka deponuar në të kaluarën faktr për keqpërdorime, por zelli i prokurorisë për t’u marrë me faktet e keqpërdorimet e mahershme ka qenë zero”, ka thënë Kurti, raporton Insajderi.
Kurti pretendon se ky rast ka ndodhur për shkak të mosemërimit të Blerim Isufajt kryeprokuror të Shtetit.
“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e karakterizoi në vetëvrasje”.
“Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Ky dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të qeverisë e presidencës. Përkundër përvojës së hidhur që ka gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokuror. Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alukimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Sistemi lëngon se kemi një prokuori që nganjëher s’don, nganjëherë s’din”, ka theksuar kryeministri. /Gazeta Insajderi