
Pas dy incidenteve të rënda që tronditën lagjen Ulpiana në Prishtinë – një sulm fizik ndaj gjinekologut të njohur Afrim Veliu dhe gjetja e një granate dore pranë ordinancës së tij Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar.
Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar për Insajderin edhe avokati i Afrim Veliut, Veton Rrecaj.
“Mund ta konfirmojmë se është arrestuar një person lidhur me sulmin ndaj klientit tim, Dr. Afrim Veliu. Po ashtu, ne shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë për efikasitetin e punës së Policisë – gjithnjë duke besuar në organet e drejtësisë”, ka deklaruar Rrecaj.
Policia ka lënë të nënkuptohet se në rast mund të jenë të përfshirë edhe persona tjerë.
“Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME)”, thuhet në njoftim.
Pas hetimeve të thelluara, Policia përmes një njoftimi në Facebook, ka konfirmuar se dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit.
Sinjali raporton se bëhet fjalë për Burhan Mavriqin, 31-vjeçar nga Fushë Kosova.
Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit.