×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestimi i njeriut të VV-së me kërkesë të Interpolit, flet avokati i tij

    Insajderi
    01 March 2024 - 23:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hasan Krasniqi, kryeshef i KRU “Gjakova” është arrestuar në Bullgari. Ndaj tij kishte urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane. Krasniqi akuzohet për trafikim me qenie njerëzore.

    Avokati Tritan Hamitaj, përmes një komunikatë dha një arsyetim tjetër.

    Ai tha Krasniqi merrej transport të udhëtarëve dhe se me kompaninë e tyre po udhëtonin sportistë, që sipas tij autoritetet italiane të drejtësisë kanë vërejtur se marrja e vizave nga sportistët kishte parregullsi.

    “Hasan Krasniqi është ortak me 50% të kuotave të personit juridik Shpatturs shpk. Këtë shoqëri në cilësinë e administratorit e drejton Z. Muhamet Krasniqi i cili është vëllai i Z. Hasan Krasniqi”.Kjo shoqëri ka në objektin e veprimtarisë së saj ndër të tjera edhe transportit rrugor të udhëtarëve, dhe për këtë shkak është pajisur me licencë profesionale që nga data 8.1.2021”, tha ai.

    Hamitaj ka pretenduar se kjo kishte ndodhur për shkak se disa prej sportistëve nuk kanë qenë pjesëtarë të ekipit dhe qëllimi i pajisjes me viza ka qenë për migrim.

    Për shkak të kësaj veprimtarie me mjetet e transportit në pronësi të saj janë transportuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ndër të tjera edhe ekipe sportive të ndryshme. Disa nga sportistët, sipas avokatit Hamitaj, që kanë lëvizur në vitin 2022 nuk janë kthyer në Kosovë dhe ka rezultuar nga autoritet italiane të Drejtësisë se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullsi për shkak se nuk kanë qenë pjesëtar të ekipit sportiv dhe qëllimi i marrjes së vizave ka qenë për emigrim. Nga hetimi ka rezultuar se këta sportistë kanë lëvizur me mjetet e transportit të ‘Shpatturs’ dhe prej autoriteteve të drejtësisë Italiane është vlerësuar se Hasan Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe roli i tij në dijeninë ose jo të parregullsive në marrjen e vizave”, ka thënë ai.

    Sipas avokatit Hamitaj, Krasniqi sapo ka mësuar për këto hetime nga autoritetet italiane, ka shfaqur vullnetin të paraqitet personalisht përpara autoriteteve të drejtësisë italiane dhe të shpjegojë rrethanat e tij në këtë ngjarje.

    “Krasniqi nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët, nuk ka dijeni se në cilën konsullatë janë nxjerrë vizat dhe nuk ka pasur kontakt me asnjë sportist gjatë procesit të marrjes së vizave”, ka pretenduar avokati i tij.

    Avokati Hamitaj ka insistuar se klienti i tij “nuk ka ndihmuar në nxjerrjen e vizave, nuk ka pasur dijeni se disa nga sportistët nuk kanë qenë pjesëtar të ekipeve sportive, nuk ka pasur dijeni për qëllimet e tyre, por shoqëria që i është ortak ka kryer transportin sipas licencës profesionale dhe kontraktimit nga klubi sportiv”.

    Krasniqi, sipas avokatit të tij, nuk ka firmosur asnjë kontratë transporti dhe asnjë dokument që lidhet me veprimtarinë e Shpatturs shpk. Kontratat dhe çdo dokument tjetër i kësaj shoqërie është firmosur nga administratori i shoqërisë.

    “Krasniqi është vënë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë italianë në mënyrë vullnetare dhe është i bindur se kjo situatë do sqarohet shumë shpejt”, ka thënë avokati.

    MPJ e konfirmon arrestimin e Hasan Krasniqit

    Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se Kryeshefi i KRU Gjakova, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari.

    Sipas MPJD, Krasniqi është ndaluar më 19 shkurt, në pikëkalimin kufitar “Gyushevo”.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K)  është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyushevo””, ka thënë MPJ.

    Ai është ndaluar pasi ka qenë në kërkim nga Interpoli.

    “Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, thuhet në përgjigjen e MPJ.

    Hasan Krasniqi, kryeshef i KRU “Gjakova” është arrestuar në Bullgari. Ndaj tij kishte urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane. Krasniqi akuzohet për trafikim me qenie njerëzore.

    Në dosjen e Interpolit të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Krasniqi është marrë me kontrabandimin e njerëzve me dokumente të falsifikuara.

    Dosja e Interpolit thotë se një prej mënyrave që ai dyshohet ta ketë përdorur  dhënien e vizave Shengen dhe leje qëndrimin ishte duke i prezantuar ata si anëtarë të klubeve sportive, por që policia italiane dyshohet se ato nuk ishin lëshuar në mënyrë të rregullt nga organizatat sportive. Sipas dosjes, kjo ka qenë mënyra se si ai i ka futur brenda zonës Shengen njerëzit që nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark