Policia e Kosovës të premten ka arrestuar një serb të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it, në protestën e 29 majit në Zveçan.
Nenad Orlloviqi, me nofkat edhe “Nemac” dhe “Rusi” është vënë në pranga nga Njësia Special, pamjet e të cilit aksion i ka sjell gjatë ditës Insajderi.
Por, si ndodhi arrestimi i tij dhe për çka po dyshohet ai? A ka ndodhur diçka ndaj tij, pos arrestimit, derisa u soll në Prishtinë?
Për këto ka folur për Insajderin avokati i tij, Nebojsa Vlajic.
Vlajic i ka thënë gazetës Insajderi se e ka vizituar klientin e tij, Nenad Orlloviq, por i pyetur se pas arrestimit si ka qenë sjellja e policëve me të, ai ka thënë për këtë pjesë “nuk kam koment” ende.
Avokati Vlajic ka bërë me dije se klienti i tij megjithatë në momentin e arrestimit nuk ka parë urdhrin për arrestim.
“Në momentin e arrestimit, klientit tim nuk i është prezantuar asnjë urdhër me shkrim për arrestim. Në atë moment nuk ka pasur një dokument të tillë që i është dhënë atij, prandaj me bazë dyshojmë që arrestimi mund të jetë i jashtë-ligjshëm”, ka thënë Nebojsa Vlajic në një prononcim për Insajderin.
Avokati Vlajic i ka thënë gazetës së është informuar se klienti i tij do ta kaloi natën e sotshme në ndalim, por nesër pritet që të dal para Gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Siç kemi parë deri tash, pritet që kërkesa e Prokurorisë të jetë për 30 ditë paraburgim. Dhe, siç kemi parë deri tash edhe pritet që të miratohet, por ne do ti paraqesim provat tona në atë që besojmë që klienti ynë është i pafajshëm, dhe do ta kundërshtojmë këtë kërkesë”, ka thënë ai.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë kosovare për këtë rast.