
Prokuroria Speciale dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për arrestimin e Bojan Jetviq, togerit të Policisë së Kosovës si të dyshuar për spiunazh.
Në njoftimin e përbashkët bëhet e ditur ajo për të cilën më herët raportoi Insajderi: Se përgjatë bastisjes në shtëpinë e togerit, u gjetën të holla dhe pajisje elektronike që dyshohet të jenë përdorur për ta kryer veprën penale, shkruan Insajderi.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore“, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. /Insajderi.org/