×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohen 11 persona në lidhje me tragjedinë në stacionin hekurudhor në Novi Sad

    Insajderi
    21 November 2024 - 10:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad të Serbisë njoftoi të enjten se 11 persona janë arrestuar në lidhje me shembjen e një strehe në një stacion hekurudhor në fillim të këtij muaji, si pasojë e të cilës vdiqën 15 njerëz.

    Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 14 njerëz të vdekur në vend, dhe tre të lënduar.

    Të dielën vdiq njëri nga të lënduarit, duke e çuar në 15 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

    Zyra e Prokurorit tha në një komunikatë se 11 njerëz u arrestuan për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, pas intervistimit të një numri qytetarësh dhe analizimit të incidentit.

    Në njoftim u dhanë vetëm inicialet e personave të arrestuar.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë protestash në Serbi.

    Disa ditë pas incidentit, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq, dha dorëheqje.

    Megjithatë, Vesiq tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se nuk e pranon fajin për incidentin, por u dha dorëheqje si “njeri i përgjegjshëm”.

    Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad ishte rihapur në korrik të vitit 2024, pas tri vjetësh rindërtimi.

    Institucioni i hekurudhave serbe tha në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”.

    Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.

    Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark