Policia e Korçës ka finalizuar operacionin “Piramida” ku kanë arrestuar 7 persona.
Në kuadër të këtij operacioni është goditur një grup i strukturuar kriminal, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe shpërndarjes të narkotikëve të fortë në qarkun e Korçës.
Policia bën me dije se ky operacion është në vijim të dy operacioneve antidrogë të finalizuar më parë “Lapidari” dhe “Pusteci”, më 08.11.2020 dhe 08.06.2020.
“Shkon në 12 numri i të ndaluarve, vihen në pranga edhe 7 persona të tjerë (organizatori i grupit, poseduesit dhe transportuesit e lëndëve narkotike), bashkëpunëtorë me 5 të arrestuarit më parë nga policia. Sekuestrohen 1 armë gjahu, sasi e dyshuar narkotike kanabis, automjete, celularë, sasi në lekë dhe euro. Seksioni për hetimin e trafiqeve të paligjshme dhe narkotikëve në Drejtorinë vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor – Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, pas një pune intensive hetimore disamujore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Piramida”, raporton Oranews.