Policia e Kosovës përmes një konference për media ka njoftuar se ka arrestuar 8 persona në tre raste të ndara, për disa vepra penale.
Në rastin e parë, i cili është realizuar në gjashtë lokacione janë arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rënda, grabitje dhe vjedhje të automjeteve. Të arrestuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Sipas shefit të njësisë së autokrimeve Vesel Mustafa, plani operativ që është realizuar sot ka qenë vazhdimësi e një operacioni për shkatërrimin e një grupi kriminial, nga i cili tha si se në muajin korrik ishin arrestuar tre persona tjerë.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar edhe disa prova material që dëshmojnë se të dyshuarit kane kryer vepra penale, vjedhje të rënda thyrje të shtepive dhe veturat që i kanë perdorur edhe për grabitje”, tha Mustafa.
Ndërkaq për dy rastet tjera janë arrestuar pesë persona nën dyshimin për trafikim, prostitucion dhe martesë të hershme.
Zëdhënesi Baki Kelani tha se katër nga të arrestuarit nga rajoni i Gjakovës për trafikim, prostitucion janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre viktima të trafikimit janë dërguar për trajtim sipas procedurave.
Ndërsa në Mitrovicë është arrestuar një person i përkatësisë rome për detyrim në martesë të hershme. /Insajderi.com