Artikull i edituar
Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion dy persona të nacionalitetit serbë të cilet tentuan që të pengojnë punëtorët e kontraktuar nga Qeveria për mbulimin e disa simboleve me mbishkrime nacionaliste afër Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Policia përmes një komunikate për media ka njoftuar se personat e shoqeruar në polici ishin paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen.
“Sot, më datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada”, etj., të cilat ishin në shesh afër urës. Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë. “Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”- thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Gazeta Insajderi i kërkon falje lexuesve për gabimin e paqëllimshëm gjatë raportimit fillestar lidhur me shoqërimin në Polici të dy personave që tentuan të pengojnë ekipin e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës.
/Insajderi.org/