Mbrëmjen e së enjtes së kaluar, Policia Federale dhe pjesëtarët e policisë holandeze kanë kapur dy të dyshuar si trafikantë droge.
Siç raporton Inspektorati Federal i Policisë Kleve, një ekip policor ndërkufitar ka kontrolluar dy shqiptarë të moshës 32 dhe 34 vjeç, të cilët kishin mbërritur nga Holanda në A 3 në ish-kalimin kufitar Elten.
Në kuadër të kontrollit, policët kanë gjetur dhe sekuestruar 1.12 kilogramë kokainë në një qese prej pëlhure poshtë dyshemesë së karriges së pasagjerit.
Personat në fjalë më pas janë arrestuar dhe janë dërguar në Komisariatin Federal të Policisë Kleve, shkruan rp-online.de.
Shqiptarët janë në paraburgim me vendim gjykate. Zyra e hetimit doganor të Essenit ka marrë përsipër hetimet e mëtejshme. Sipas Policisë Federale, vlera e shitjes në rrugë e kësaj droge është rreth 83 mijë euro.
Ekipi i policisë ndërkufitare Kleve-Zevenaar është një rrjet dykombëtar i autoriteteve policore të Gjermanisë dhe Holandës, përcjell albinfo.ch.
Policët veprojnë në përputhje me marrëveshjen gjermano-holandeze të policisë dhe drejtësisë dhe në përputhje me legjislacionin kombëtar. Ekipi kryen patrulla të përbashkëta në zonën kufitare gjermano-holandeze për të luftuar krimin ndërkufitar.