Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar katër persona, gjatë aksionit të sotëm të zhvilluar në katër lokacione në Prishtinë e Gracanicë.
Të arrestuarit K.R, N.K, F. B, N.SH, dyshohen për falsifikim të dokumenteve, uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ndërsa njëri ndër të dyshuarit M.J, i përkatësisë serbe, është në arrati dhe në kërkim policor.
Sipas njoftimit të policisë operacioni është realizuar pas zhvillimit të hetimeve disa mujore.
Ndërkaq gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale dokumentacione që lidhen me rastin.
Të arrestuarit janë në procedurë të intervistimit dhe pas përfundimit të procedurave do të ndërmerren veprimet e mëtutjeshme sipas autorizimeve të prokurorit kompetent të rastit.