
Dy persona kanë rënë në pranga nën dyshimet për përfshirjen në grabitjen që kishte ndodhur në Prishtinë më 21 maj të këtij viti.
Siç njofton Policia e Kosovës përmes raportit ditor të së mërkurës, të dyshuarit janë arrestuar pas hetimeve lidhur me rastin.
Grabitja kishte ndodhur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në njërën nga filialet e operatorëve telefonik në Kosovë.
Sipas raporteve të Policisë, të dyshuarit kishin sulmuar sigurimin fizik jashtë objektit dhe më pas kishin depërtuar brenda, prej nga dyshohet se kanë marrë një kasafortë që dyshohet të përmbante para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.