Arrestohet çifti shqiptar - zbulohen komunikimet me terroristin e Nicës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Arrestohet çifti shqiptar – zbulohen komunikimet me terroristin e Nicës

    Insajderi
    17 July 2016 - 22:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një çift shqiptarësh janë në mesin e 7 personave të arrestuar në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen tragjike të Nicës.

    Mediat e huaja raportojnë se ata kanë shkëmbyer mesazhe me autorin e sulmit tronditës të së enjtes, ndërsa britanikja “Daily Telegraph” shkruan se çifti i ka siguruar Mohamed Lahouaiej-Bouhlel pistoletën automatike të kalibrit 7.65 mm me të cilën ai qëlloi mbi policinë përpara se kjo e fundit të përgjigjej, duke e vrarë në vend.

    Mësohet se ish-bashkëshortja e franko-tunizianit 31-vjeçar, që përplasi mbrëmjen e 14 korrikut kamionin e marrë me qira mbi turmën e të pafajshmëve të mbledhur në “Promenade des Anglais” për të shijuar spektaklin e fishekzjarrëve, është lënë e lirë pas marrjes në pyetje.

    Francois Hollande e etiketoi shpejt episodin si sulm terrorist dhe hetuesit tani po përpiqen të zbulojnë nëse tuniziani kishte lidhje me grupe ekstremiste. Për nga mënyra e organizimit, atentati i Nicës duket sikur origjinën e ka direkt në manualin e Shtetit Islamik.

    “Bëhuni ujqër të vetmuar dhe kryeni atentate në vendet tuaja”, ishte këshilla e dhënë ithtarëve të organizatës së dhunshme ekstremiste në Europë. Për këtë mund të përdorësh si armë edhe automjete apo objekte të tjera të jetës së përditshme, që orientimi nga krerët e grupit.

    Mbase ajo që shihet sot në Nicë është pikërisht efikasiteti vdekjeprurës i kësaj metode. Sulmi i tre ditëve më parë e shton akoma më shumë presionin mbi shërbimet e inteligjencës franceze, forcat e sigurisë por edhe vetë qeverinë e vendit, njofton Top-channel.

    Analiste si Barbara Wessel mendojnë se për Presidentin Hollande, atentati i qytetit jugor do të thotë fund politik Ai reagoi vërtet me ashpërsi pas sulmeve të nëntorit me forcim ligjesh e vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, por nga ana tjetër nuk arriti të reformonte shërbimet e rrëmujshme të sigurisë e të krijonte një autoritet të vetëm dhe të fuqishëm antiterror.

    Në lidhje me atentatet e Parisit doli në pah se megjithë paralajmërimet, qenë bërë gabime, të dhënat nuk u shfrytëzuan dhe personat e dyshimtë nuk u arrestuan në kohën e duhur.

    Në Nice sakaq, mbrëmjen e terrorit, mes njerëzve të tjerë të ngërthyer aty në momentet e tragjedisë, ishte dhe i famshmi Bono i U2, i cili sipas raporteve në mediat e huaj, u desh të shpëtohej prej forcave speciale franceze nga restoranti ku po darkonte. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark