Një aksion i Policisë së Kosovës në Ferizaj përfshiu bastisje në disa lokacione, duke rezultuar në arrestimin e tre personave. Ngjarja u aktivizua pas gjetjes së një granate dore në një kasafortë te selia e kompanisë ‘Arditi Taxi’ në Ferizaj.
Sipas raportimeve nga Gazeta Sinjali, një nga të arrestuarit është pronari i kompanisë ‘Arditi Taxi’, Arton Fazlija. Në ndalim ka përfunduar gjithashtu edhe Agron Jashari, ndërsa Besjan Fazlija, vëllai i Artonit, është liruar më pas.
Tre persona janë arrestuar, ndërsa në vendin e ngjarjes ka intervenuar njësiti i Policisë për deminim që e kanë tërhequr granatën.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Ferizaj dhe është bërë e ditur se dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër është liruar.
Ndonëse akoma nuk dihen rrethanat e tjera lidhur me granatën e dorës që u gjet në kasafortë, pasi mjeti shpërthyes është tërhequr, me urdhër të prokurorit janë kryer kontrolle në disa lokacione.
Në njërin prej tyre është gjetur një armë dhe dhjetëra fishekë, që janë marrë më pas si dëshmi lidhur me rastin.
Nga Policia është raportuar lidhur me incidentin dhe është bërë e ditur se hetimi është iniciuar në drejtim të veprës penale “Armëmbajtje pa leje”.
“Raportohet se gjatë kontrollit në një kasafortë është gjetur një granatë dore. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes ka dalur njësiti për deminim e policisë që e kanë tërhequr granatën. Lidhur me rastin janë kryer bastisje në gjashtë lokacione ku në njërin prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë 40 fishekë. Me vendim të prokurorit njëri prej të dyshuarve është liruar, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.