Arrestohet dhe pastaj lirohet shtetasi i Serbisë që mashtroi Policinë duke u thënë se është ushtar i FSK-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohet dhe pastaj lirohet shtetasi i Serbisë që mashtroi Policinë duke u thënë se është ushtar i FSK-së

    Insajderi
    31 May 2022 - 17:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili ishte paraqitur si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës teksa po voziste makinë me tabela të Serbisë dhe në të i ishin gjetur shtatë helmeta të punës, në pesë prej tyre, mbishkrimi me shkronjën ‘Z’.

    “Në orët e mbrëmjes së datës 30 maj 2022, Njësia e Trafikut Rajonal gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në segmentin rrugor në Vushtrri, ka ndaluar një veturë me targa të Serbisë në të cilën ndodhej i dyshuari dhe një dëshmitar M/K/S, ku gjatë legjitimit i dyshuari M. M., 30 vjeçar, ka paraqitur një dokument si person zyrtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në veturën e të dyshuarit janë gjetur shtatë (7) helmeta të punës ku pesë (5) prej tyre me mbishkrim të shkronjës (Z)”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Tutje, policia bënë të ditur se dokumenti që i dyshuari kishte paraqitur ka qenë i rremë.

    “Gjatë verifikimit ka rezultuar se i dyshuari ka paraqitur dokument të rremë, si prova materiale nga i dyshuari janë sekuestruar kartela dhe një çantë krahu” bëhet e ditur nga policia.

    Për veprimet e ndërmarra, policia potencon se  është informuar prokurori i rastit, i cili ka urdhëruar që rasti ndaj të dyshuarit të iniciohet për vepër penale “Prezantim i rremë si person zyrtar” ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Fillimisht, simboli ‘Z’ u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj.

    Ky simbol shpejt u shndërrua në simbol për mbështetjen e luftës së Putinit në Ukrainë dhe është parë e vizatuar edhe në ndërtesa të ndryshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe, në protestat në mbështetje të Putinit në Beograd, e në shumë vende të tjera.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark