Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në Prizren kanë arrestuar një person që dyshohet se të enjten ka kanosur prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Mehdi Sefa, në vendin e tij të punës.
I dyshuari sipas autoriteteve të rendit ka penguar edhe personelin e Prokurorisë.
Lidhur me këtë rast, të premten, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës duke shprehur shqetësimin lidhur me kërcënimin që i është bërë prokurorit Sefa, e që ndërlidhet me punën e tij zyrtare.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari për këtë rast, njofton Gazeta Express.