
Edukatorja e cila është denoncuar në Policinë e Kosovës për dhunë ndaj një fëmije të moshës një-vjeçare në Lipjan është arrestuar.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku më pas e njëjta është dërguar në mbajtje.
“Po pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Daja i viktimës një-vjeçare e ka denoncuar rastin në rrjetet sociale, ku ka thënë se fëmiu ka pësuar lëndime serioze në fytyrë.
Pretendimi i tyre vazhdon se vajza është rrëzuar për tokë nga një mësuese e quajtur Behare Gashi.
“Si dajë, jam i tronditur dhe shumë i lënduar për mbesën time. Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë fëmije! Fëmijët duhet të jenë të mbrojtur në shkollë, jo të dëmtohen nga ata që duhet t’i edukojnë,” ka shkruar familjari në një reagim publik.
“Fëmijët duhet të jenë të mbrojtur në shkollë, jo të dëmtohen nga ata që duhet t’i edukojnë. Kërkoj drejtësi dhe përgjegjësi për këtë sjellje të papranueshme!”, shkruan ai tutje.