Arrestohet ferizajasi, sa ishte ofiqar i kishte ndihmuar një turku të regjistrohet në sistemin elektronik të gjendjes civile – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohet ferizajasi, sa ishte ofiqar i kishte ndihmuar një turku të regjistrohet në sistemin elektronik të gjendjes civile

    Insajderi
    20 September 2023 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar B.Xh., ish-zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj, pasi derisa ishte në atë pozitë e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare duke e regjistruar një shtetas turk në sistemin elektronik të gjendjes civile, pa i plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë.

    Më pas, shtetasi turk kishte arritur të merrte letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.

    I dyshuari dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe është dërguar në ndalim për 48 orë.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës, nën dyshimin e përfshirjes në veprimtari penale, arreston një të dyshuar

    Prishtinë, më 20 shtator 2023

    Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Ferizaj, përmes veprimeve paraprake hetimore të zhvilluara, kanë arritur të sigurojnë dëshmi se një i dyshuar është përfshirë në veprimtari penale.

    I dyshuari, B. XH., (viti i lindjes 1967, mashkull kosovar), ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj, derisa ishte në atë pozitë (deri në vitin 2019 – si ofiqar), ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas të huaj (shtetas turk) në sistemin elektronik të gjendjes civile, pa i plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë.

    Shtetasi turk ka arritur që pas regjistrimit të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe me pasaportë të Republikës së Kosovës.

    I dyshuari, me veprimin e tij dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’. I njëjti, sot më 20.09.2023, është intervistuar në cilësi të të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit, me aktvendim të lëshuar nga prokurori, i dyshuari dërgohet në ndalim prej 48 orësh.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark