Policia e Shqipërisë ka arrestuar të mërkurën një shtetas të Kosovës, Dijar Xhema, i cili akuzohet për thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste.
Arrestimi i këtij u bë pasi ka tentuar të rrëmbejë me veturën e tij ‘Audi’ tre perona me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh. Këto veprime ai i ka bërë teksa ka thirrur “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve” në ambiente publike.
Policia ka intervenuar shpejtë duke arrestuar të dyshuarin dhe duke parandaluar ndonjë vepër të mëtutjeshme të të dyshuarit.
Sipas policisë, personi në fjalë ka kundërshtuar me dhunë zyrtarët e policisë gjatë arrestimit të tij.
Policia shqiptare ka njoftuar se gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.
“Nisur sa më lart: shtetasi Dijar Xhema ka dyshime të bazuara dhe arsyeshme, se me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementet e veprave penale: “Vepra me qëllime terroriste”; “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”; “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, (të mbetura në tentativë); “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, të parashikuara nga nenet 230 gërma a dhe g , 232/a, 265, 283 e 22 të Kodit Penal”, ka njoftuar policia, shkruan Gazeta Express.
“Ky person paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore pasi në Kosovë është i evidentuar si person me precedent kriminal për tendencën e vrasjes, rrëmbim, dhunim personi, dhunim i punonjësve të organeve ligjzbatuese, mbajtje dhe përdorim pa leje të armëve të zjarrit”, thuhet në njoftimin e Policisë.