×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohet në Portugali kunati i Ervis Martinajt, fshihej prej 11 vitesh në një pallat luksoz

    Insajderi
    20 July 2024 - 10:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Arrestohet në Lisbonë Arben Kaçorri, kunati i Ervis Martinajt, i cili rezultonte i zhdukur. Mediat portugeze raportojnë se ai jetonte prej 11 vitesh në një pallat luksoz në Lisbonë.

    I dënuar në Itali me gati 22 vite burg për vrasje, Kaçorri kaloi pa u vënë re, duke mos e ndalur asnjëherë veprimtarinë e tij kriminale. Në të njëjtën ndërtesë, vetëm një kat më lart, jetonte Ícaro Leddy Gouveia, një operativ i mafias Mocro, i njohur si mafia marokene, por që vepron kryesisht në Holandë.

    Së bashku, të dy burrat drejtuan një rrjet kushtuar trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë. Dhe gjithçka e kishin vendosur dhe koordinuar nga ajo ndërtesë.

    Sipas autoriteteve portugeze, atyre iu janë sekuestruar “sasi të mëdha parash, disa automjete të nivelit të lartë, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike”.
    Kaçorri është kunati i Ervis Martinajt, i njohur si “Mbreti i lojërave të fatit”, i zhdukur që prej gushtit 2022. Kaçorri, 52 vjeç, ka një ‘prejardhje’ me organizata kriminale (vëllai i tij, Valentino, përmendet edhe si pjesëtar i mafies ballkanike).

    Në maj të vitit 2009, ai u dënua në Itali me 21 vjet e tetë muaj burg, për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Fatmir Kala, në Firence, si dhe për armëmbajtje pa leje. Dënimi u bë i parevokueshëm në tetor 2010, pasi ankesa e tij u refuzua. Megjithatë, autoritetet italiane nuk arritën kurrë ta lokalizonin Kaçorrin në mënyrë që ai të vuante dënimin.

    Shqiptari ka përfituar edhe falje prej tre vitesh, por duhet të vuajë 18 vjet e tetë muaj burg për atë krim. Së shpejti Italia duhet të kërkojë ekstradimin e të dënuarit në shtetin portugez. Pas këtij dënimi, 15 pasuri të Kaçorrit iu konfiskuan në dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të gjykatës shqiptare.

    Trafikanti i drogës humbi ndërtesa tregtare, apartamente, toka dhe garazhe, të gjitha të vendosura në Tiranë dhe rrethina.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark