Arrestohet në Tiranë një 30-vjeçare nga Prishtina - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohet në Tiranë një 30-vjeçare nga Prishtina

    Insajderi
    22 June 2025 - 14:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një 30-vjeçare nga Prishtina është arrestuar nga Policia në Tiranë për veprat “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

    Sipas njoftimit nga Policia, arrestimi i saj u bë pasi gjatë patrullimeve, policia ka ndaluar për kontroll dhe verifikim automjetin me drejtues shtetasin E. P., 23 vjeç – vëllain e të dyshuarës. Bëhet e ditur se gjatë komunikimit me punonjësit e Policisë, 23-vjeçari ka krijuar dyshime se po drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit. Për këtë arsye është kërkuar ndihma e punonjësve të Policisë Rrugore për t’i bërë testin e alkoolit, ku testi i parë ka rezultuar 0.48 mg/l. 23-vjeçarit i është kërkuar të bëjë për herë të dytë testin e alkoolit, në zbatim të procedurës standarde, por ai ka refuzuar të kryejë testin e dytë.

    Policia bën të ditur se në momentin që punonjësit e Policisë po komunikonin me 23-vjeçarin për të bërë testin e alkoolit, aty ka ardhur me një automjet tjetër, shtetasja A. P., motra e tij, e cila ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke i penguar ata të kryenin detyrën.

    “Punonjësit e Policisë i kanë bërë testin e alkoolit edhe 30-vjeçares, në prani të një punonjëseje policie (e cila ka qenë prezent nga momenti i parë e deri në përfundim të të gjitha veprimeve), ku rezultoi se 30-vjeçarja drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.38 mg/l. 30-vjeçarja është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme për kundërshtim të punonjësve të Policisë. Gjatë kohës që ndodhej në ambientet e dhomës së shoqërimit, shtetasja A. P. ka goditur me grushte xhamin e dritares së kësaj dhome, duke e thyer atë”, thuhet tutje në njoftim.

    Lidhur me rastin në rrjetet sociale është shpërndarë një video ku pretendon se policia ka ushtruar dhunë ndaj 30-vjeçares nga Kosova. Policia e ka mohuar  një gjë të tillë.

    “Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale për këtë rast theksojmë se: Shërbimet e Policisë, në asnjë moment, nuk kanë ushtruar dhunë ndaj 30-vjeçares dhe pretendimet e bëra publike nuk janë të vërteta. Punonjësit e Policisë kanë zbatuar procedurat standarde të punës dhe në asnjë moment nuk kanë ushtruar dhunë ndaj saj apo ndaj vëllait të saj, të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftim.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark