
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një 33 vjeçar, kjo pasi kishte tentuar të vriste një person në Gjermani për hakmarrje.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Wanted”, për kapjen e shtetasit të kërkuar për vrasje me paramendim, për hakmarrje, mbetur në tentativë dhe plagosje të rëndë me dashje.
Në njoftim bëhet e ditur se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, në datën 17 shtator kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Daniel Hajron për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.
Më 18 maj të vitit 2020, 33-vjeçari dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person dhe ka plagosur rëndë një tjetër në një lokal të Gjermanisë.