Një operacion i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka çuar në arrestimin e një personi të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për mbajtje të armëve pa autorizim.
Në njoftimin zyrtar, Policia ka bërë të ditur se më 21 dhjetor 2024, rreth orës 19:30, njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka ndaluar një veturë të tipit GOLF 7 me ngjyrë të bardhë dhe targa vendore në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë. Në veturë ndodheshin tre persona, përfshirë të dyshuarin kryesor, i identifikuar me inicialet (I.R.).
“Gjatë kontrollit sipërfaqësor tek tre personat dhe në veturë nuk është gjetur asgjë e dyshuar, megjithatë pas dyshimeve të ngritura, të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë për kontroll më të detajuar,” thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, tek i dyshuari (I.R.) u gjetën dy qese të dyshuara me kokainë me peshë totale prej 1.2 gramë.
Kontrolli i veturës, i realizuar me ndihmën e njësisë K-9, zbuloi edhe një sasi të konsiderueshme të kokainës dhe një armë zjarri.
“I dyshuari me të parë qenin e Policisë ka treguar se në veturë nën mbështetësin e dorës dhe në dollapin poshtë timonit kishte të fshehur drogë dhe armë,” thuhet më tej në deklaratë.
Gjatë kontrollit të detajuar, policia gjeti: 29 qese me kokainë me peshë 16.7 gramë, një revole të tipit SIG SAUER me një karikator dhe 21 fishekë të kalibrit 9mm, të holla në vlerë prej 570 euro dhe 50 franga zvicerane.
Sipas njoftimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armës.”
Dy personat e tjerë janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve.
Policia e Kosovës ka theksuar angazhimin e saj për të parandaluar çdo aktivitet të kundërligjshëm.
“Masa rigoroze do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë ndaj të gjithë atyre individëve apo grupeve që përfshihen në aktivitete kriminale,” thuhet në përfundim të njoftimit.