
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në një rrjet të organizuar për falsifikim dokumentesh, pas një operacioni që çoi në zbulimin e një laboratori të sofistikuar në lagjen Veternik të Prishtinës, shkruan Insajderi.
I dyshuari me inicialet SH.E. është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës. Ai dyshohet se është pjesë e të njëjtit grup kriminal me një person tjetër, F.K., i cili ishte ndaluar më parë në janar të këtij viti, teksa drejtonte një automjet ku u gjetën dokumente të zbrazëta (blanko) të shteteve të ndryshme.
Hetimet kanë zbuluar një laborator të pajisur me makina lazerike, printerë dhe pajisje të tjera të avancuara për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe një sasi e madhe dokumentesh blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës.
Operacioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim me njësitë e rendit të Policisë së Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe Europol-in.