Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person për disa vjedhje të rënda që kanë ndodhur në Ferizaj, shkruan Insajderi.
LL.S, 32 vjeçari është personi i cili po kërkohej nga policia për shkak se kishte vjedhur para nga arka e bamirësisë në ‘’Xhaminë e Vogël’’ në Ferizaj.
Rasti i vjedhjes ishte raportuar me 14 tetor.
“Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, hetuesit policor kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar dhe vendin e ndodhjes së tij, të cilin sot, datë 25.10.2022 rreth orës 14:00, në qytetin e Shtimës e kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet LL.S ( M/K) i moshës 32 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë, duke vjedhur para nga arka e bamirësisë në ‘’Xhaminë e Vogël’’ në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Siç njofton policia, i dyshuari, është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe gjatë intervistës nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka deklaruar se ka kryer vjedhje të rënda nga arkat e bamirësisë edhe në Xhamitë e fshatrave Kosinë, Slivovë dhe në Xhaminë në rrugën ‘’Hamëz Jashari’’ në Ferizaj, të cilat ishin në proces të hetimeve.
“Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.