Arrestohet pronari i kompanisë Ritron Kopi në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohet pronari i kompanisë Ritron Kopi në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore

    Insajderi
    26 December 2024 - 17:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pronari i kompanisë nga Kumanova Ritron Kopi, Artan Ajruli, është arrestuar si pjesë e një hetimi që autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë duke e kryer në rastin e Lotarisë Shtetërore.

    Ajruli u arrestua në lidhje me tenderët e pranuar për blerjen e televizorëve për shoqërinë aksionare shtetërore.

    REL-i më 17 dhjetor raportoi se numërimi i pajisjeve të blera është bërë me kërkesë të Policisë Financiare, e cila po heton tenderët për blerjen e televizorëve të dimensioneve të ndryshme nga kompania Ritron Kopi në pronësi të Ajrulit.

    Policia financiare ka kontrolluar dërgesat nga kompania e Kumanovës për numrin e televizorëve të dorëzuar dhe nëse ata janë të markave të njëjta për të cilat janë lidhur kontratat.

    Katër muaj më parë, hetuesit kontrolluan edhe tenderët e tjerë të Lotarisë Shtetërore për marketing dhe promovim që lidhen me këtë kompani.

    Tenderin prej rreth 205 mijë eurosh e fitoi kompania AP Solutions, pronari dhe menaxheri i së cilës, Flamur Nevzatovski, ishte i punësuar në Ritron Kopi. Kjo kompani, në fakt, ishte konkurrenti i vetëm në tender.

    Asokohe 19-vjeçari Nevzatovski nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për njohuritë e tij në tregti dhe aplikimin për tenderë duke marrë parasysh moshën e tij, nga do t’i marrë terminalet e Lotarisë dhe nëse ai ishte ndoshta pronar fiktiv i AP Solutions.

    Të dhënat publike për kompaninë Retron Kopi në Facebook më pas zbuluan edhe fotografi të vitit 2016 të Artan Ajrulit dhe Përparim Bajramit, i cili në atë kohë nuk kishte asnjë pozitë në Lotarinë Shtetërore.

    Nga analiza e tenderëve, megjithatë, rezultoi se nga janari i vitit 2022, periudhë kur Përparim Bajrami mori postin e drejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore, fituese e tenderëve u shfaq kompania Ritron Kopi në bashkëshoqëri aksionare.

    Bajrami dhe ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, kërkohen me fletarrestime ndërkombëtare nga autoritetet vendore si të dyshuar për “përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore.

    Byroja e Prokurimit Publik bën me dije se Lotaria Shtetërore ka lidhur gjashtë kontrata me këtë kompani për blerjen e televizorëve, pajisjeve kompjuterike dhe komunikuese, aparateve multifunksionale dhe stacioneve grafike të vizatimit televiziv.

    Kontratat u lidhën në periudhën nga qershori 2022 deri në mes të tetorit 2023. Vlera e tyre ishte 365.252 euro.

    Pas largimit të Përparim Bajramit nga pozita drejtuese, Lotaria Shtetërore i ndërpreu kontratat kornizë dhe nuk i shfrytëzon më shërbimet e tyre.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark