Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar ngasësin e kamionit që dyshohet se shkaktoi aksidentin në Veternik.
Të dhënat për këtë aksident ndryshojnë nga ato që dha dje Policia. Përderisa në konfirmimin e djeshëm u tha se nga ky aksident janë lënduar 11 persona, në raportin 24 orësh thuhet se lëndime nga ky aksident kanë pësuar tetë persona.
Ndryshim ka edhe te numri i automjeteve të përfshira. Dje u tha se në këtë aksident janë përfshirë 11 vetura e një kamion, në raport sot thuhet se aksidenti ka ndodhur mes një kamioni dhe shtatë veturave.
“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME – Veterrnik, Prishtinë 11.10.2024 – 14:30. Tetë persona (5 meshkuj dhe 3 femra) kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur midis një kamioni dhe shtatë veturave. Pas trajtimit mjekësor të lënduarit janë liruar për mjekim shtëpiak. Përveç lëndimeve gjatë aksidentit janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale. Me vendim të prokurorit i dyshuari mashkull kosovar, ngasës i kamionit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti në hetime”, thuhet në raport.