
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtare policore nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të prokurorit, ndaj zyrtares është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Zyrtarja ishte e angazhuar në Pikën e Kalimit Kufitar Glloboçicë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Lindje Kaçanik. IPK, duke u bazuar në autorizimet ligjore, ka rekomanduar suspendimin e saj nga detyra.
Nga veprimet fillestare hetimore, dyshohet se zyrtarja, pa autorizim, ka shfrytëzuar sistemin e të dhënave të policisë kufitare për të verifikuar dhe regjistruar të dhënat e një qytetari, shtetas i Republikës së Serbisë i cili në atë kohë nuk ka qenë fare prezent në pikën kufitare.
Dyshohet se verifikimi është kryer për të parë nëse personi në fjalë figuron apo jo në kërkim nga autoritetet.
Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit.