Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi ka prezantuar sot marrëveshjen dy palëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo tha se kjo është një marrëveshje e domosdoshmë për studentët e të dy vendeve dhe se është një lëhtësim.
“Kjo marrëveshje vjen si një domosdoshmëri pas shumë vitesh ku të rinjtë shqiptarë të diplomuar në institucione arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës hasin në vështirësi apo vonesa në njohjen apo vlerësimin e diplomave të tyre. Kemi vendosur, kemi dakorduar që të lehtësojmë procedurat dhe të shkurtojmë afatet për njohjen e diplomave, certifikatave nga gradat shkencore, doktorë që jepen nga institucionet e tona arsimore”, ka thënë Kushi.
Lidhur me këtë marrëveshje ka folur edhe ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci.
Ajo tha se kjo marrëveshje i shpëton kohën por edhe ngarkesën.
“Marrëveshja që po e nënshkruajmë sot jo vetëm që e jetëson marrëveshjen e Lisbonës, por i shpëton procedurat formale, kohën dhe të gjitha ngarkesat në raport me njohjen e diplomave dhe gradave akademike për studentët dhe personat e tjerë që kanë tituj të lartë të fituar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe në Shqipëri”, ka thënë Nagavci.