Dy avionë të tjerë me afganë mes të cilëve edhe fëmijë kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shqipëri.
Bashkë me 182 afganët e mbërritur sot në vend shkon në 457 numri i tyre.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një postimi në Facebook thotë se për Shqipërinë sot flitet me admirim në të gjithë opinionin ndërkombëtar.
“Arrin në 457 numri i afganëve që shpërngulen nga lufta dhe mikpriten në Shqipërinë e besës e të respektit për kujtesën, traditën, vetveten, për të cilën sot flitet me admirim në gjithë opinionin ndërkombëtar #KrenarpërShqipërinë,” shkruan Rama në Facebook.
108 prej afganëve të cilët mbërritën ditën e sotme u vendosën në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.