Ekipi i Arsenalit e ka konfirmuar se lojtari i tyre, Gabriel Jesus, ka pësuar një dëmtim në ligamentin e përparmë të gjurit të majtë.
Ekipi londinez tha se Jesus do t’i nënshtrohet operacionit ditëve në vijim kurse së shpejti do ta nisë programin e rij të rikuperimit dhe rehabilitimit.
Për lëndimin ka folur edhe vet Jesus, i cili tha se nuk e mban mend herën e fundit kur ka luajtur futboll pa dhimbje.
Jesus u lëndua gjatë duelit që Arsenali e pati gjatë vikendit me Manchester Unitedin në kuadër të FA Cup, ndeshje të cilën e humbën pas penalltive.
Mbetet për t’u parë nëse Arsenali tani kërkon të forcohet në sulm para përfundimit të afatit kalimtar, pasi tashmë i është dashur të përballet me dëmtimet e Bukayo Saka dhe Ethan Nwaneri.