×
  • Lajme
  • Lajme

    Arsyetimi i Serbisë për afrimin e trupave ushtarake në kufi me Kosovën, Maqedonci: Justifikime të paqëndrueshme

    Insajderi
    13 October 2024 - 20:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj arsyetimit të Serbisë për afrim të trupave ushtarake 50 metra nga kufiri me Kosovën.

    Maqedonci shprehu dyshime serioze mbi vendosmërinë e ushtrisë serbe për ruajtjen e pyjeve, duke theksuar se rojet e pyjeve sipas ligjit serb janë vetëm ata të Ministrisë së Bujqësisë dhe se nuk ka asnjë arsyetim të justifikueshëm për këtë prezencë ushtarake.

    “Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, shtoi ministri.

    Më tutje ai tha se Ministria e Mbrojtjes e Serbisë po tenton të mbulojë rritjen e kapaciteteve ushtarake me justifikime të pamjaftueshme.

    Sipas ministrit të mbrojtjes, militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.

    “Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, shtoi ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark