
Arsyetimi i drejtori të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, se angazhimi i ekspertëve të jashtëm për përcjelljen e punëve të projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpive në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, është bërë pasi në Kosovë mungojnë ekspertë të konservimit nuk qëndron.
Kështu pohojnë së paku dy drejtues të organizatave që merren me trashëgiminë kulturore në Kosovë.
Hajrullah Çeku nga “Ec Ma ndryshe” i ka thënë Insjaderit se ky pohim i drejtorit Blakaj nuk qëndron.
“Në Kosovë ka mjaft ekspertë të konservimit”, ka thënë Çeku, duke përmendur dy prej tyre, Gjejlane Hoxhën, që drejton Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe Bekim Cekon që është duke kryer studimet për restaurim në Turqi.
Drejtori Blakaj në një reagim ndaj shkrimit të botuar në Insajderi, me titull “Mijëra euro u keqpërdoren në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, bazuar në të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për këtë Agjenci, thotë se angazhimi i ekspertëve ndërkombëtar është bërë në mungesë të atyre vendorë.
Pos Çekut, këtë pohim të Blakajt e mohon edhe drejtori i Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), një organizatë joqeveritare, e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të prekur nga konfliktet, neglizhenca apo fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore.
Sipas Sali Shoshit, Kosova ka mjaft ekspertë të konservimit të cilët janë të përgatitur edhe në mënyrë akademike për të mbikëqyrur procesin e konservimit.
“Krejt restaurimet që i kemi kryer me CHwB i kemi bërë me ekspertë vendor. Në Kosovë nuk ka ekspertë të restaurimit vetëm për tekstil dhe libra të vjetër.
“Me pas kontaktuar CHwB-në ia kishim gjetur më së paku 10. Edhe ekspertët tanë më të mirë kushtojnë 50 euro në ditë”, ka thënë Shoshi.
Agjencia e Blakajt ka shpenzuar afër 4 mijë euro për ekspertët ndërkombëtarë pa asnjë konkurs publik, por siç ka thënë Blakaj Agjencia ka dashur të kursej për të mos shpallur konkurs në media ndërkombëtare.
E sipas Shoshit nga CHwB-ja- një prej organizatave që njihet për organizimin e shumë kampeve të restaurimit dhe ka marrë pjesë në restaurimin dhe konservimin e shumë objekteve të vjetra të trashëgimisë kulturore – kompleksi memorial “Adem Jashari” nuk përbëhet nga objektet aq të vjetra sa të angazhohen ekspertë që ruajnë origjinalitetin e tyre.
“Angazhimi i ekspertëve ndërkombëtar do të kishte kuptim nëse është konservuar ndonjë objekt ose relikt tepër i ndjeshëm dhe i vjetër sikurse qilima ose librat e vjetër. Por për konservimin e shtëpive në Prekaz, nuk nevojitet ndonjë ekspert specifik ndërkombëtar”, ka thënë Shoshi.
Sipas tij, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës ka mundur të kërkojë ekspertë edhe në CHwB edhe në Muzeun e Kosovës, përfshirë edhe shumë kompani private të ndërtimit./Insajderi.com