Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Artan Nimani, ka reaguar pas deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ftoi Prokurorinë që të hetojë Ramush Haradinajn për akuzat se ai ka shpallur deklarata ku i atribuon kryeministrit Albin Kurti bashkëpunim me Serbinë.
Përmes një postimi në Facebook, Nimani ka thënë se sulmet ndaj figurave kombëtare si Haradinaj, të cilat përfshijnë akuzat e pabazuara për lidhje me Serbinë, janë një rrezik për kulturën politike dhe shoqërore të Kosovës.
Ai tha se këto deklarata, përpjekjet për të diskredituar personalitete si Haradinaj, përmes insinuatave të tilla, janë një “degradim i rrezikshëm i diskursit politik”.
“Familja Jashari dhe Ramush Haradinaj janë simbole të qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Prekazi dhe Gllogjani janë për shqiptarët ato që janë Meka dhe Jerusalemi për besimtarët – vende të shenjta të kujtesës dhe sakrificës kombëtare”, shkroi ai.
Ai e vuri theksin te fakti se një shoqëri që lejon shpifje të tilla, pa kërkuar përgjegjësi politike dhe morale nga autorët e tyre, rrezikon të humbasë aftësinë për të mbrojtur vlerat e saj themelore.
Sipas tij, këto lloj narrativash që përçajnë opinionin publik shërbejnë për interesa të ngushta politike dhe mund të kenë ndikim të jashtëm në debatin politik të brendshëm.
“Shqetësimi më i madh është se heshtja kolektive përballë këtyre tendencave të rrezikshme mund të çojë në një krizë të thellë të kulturës politike dhe vetëdijes kombëtare, e cila do të ketë pasoja të pariparueshme për stabilitetin e vendit”, shtoi Nimani.
Artan Nimani në listën e AAK mbanë numrin 25.