×
  • Lajme
  • Analiza

    As koeficienti i ri nuk i ndal infermierët – Për çdo ditë nga një braktis Kosovën

    Insajderi
    09 February 2023 - 13:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pavarësisht rritjes së pagave në sektorin publik, infermierët po vazhdojnë të ikin nga Kosova. Koeficienti i ri i pagave i miratuar nga Qeveria Kurti nuk ka arritur të ulë numrin e infermierëve që lënë vendin. Vetëm për një muaj e nëntë ditë, 45 infermierët kosovarë kanë ikur nga vendi për kushte dhe paga më të mira, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vetëm gjatë muajit janar të 2023 nga vendi janë larguar 36 infermierë kurse që nga data 1 shkurt deri me datën 9 të po këtij muaji, për çdo ditë është larguar nga një infermierë.

    Këto shifrat alarmante i ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi kryetari i Odës së Infermiereve të Kosovës, Naser Rrustemaj.

    “Prej janarit të këtij viti e deri tani kur po flasim 45 infermierë kanë lënë vendin. Në muajin janar 36 infermierë janë larguar nga vendi kurse nga fillimi i shkurtit deri me tani 9 infermierë kanë vendosur ta lënë Kosovën. Këta infermierë kanë marrë vërtetimin për kodë etik dhe licencë të kualifikuar nga Oda e Infermierëve’, tha Rrustemaj në një prononcim për Insajderin.

    Rrustemaj tha se krahasuar me vitin e kaluar ky numër është shumëfishuar.

    Ndërsa, faktorët që kanë çuar në rrugën e emigracionit infermierët kosovarë janë paga e ulët dhe kushtet e punës, shtoi kryetari i OIK-së.

    “Këto shifra për ne janë shumë shqetësueset duke e ditur që po ikin anëtarët e Odës dhe më nuk kthehen në Kosovë. Paga jo e dinjitetshme, kushtet e punës dhe jo kompetencat në bazë të Ligjit janë disa nga arsyet që kanë çuar në ikjen e infermierëve. As Ligji i pagave nuk mundet me i ndal”, tha më tej Rrustemaj për Insajderin.

    Se paga e ulët ndaj infermierëve, është shkaku kryesor që këta të fundit po vendosin ta lëshojnë Kosovën, e thotë edhe kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha.

    Berisha i tha Gazetës Insajderi, se Ligji i Ri i pagave i miratuar së fundmi nga Qeveria nuk mund të krahasohet asnjëherë me kushtet që ofron shteti gjerman.

    Një infermier në Gjermani ka pagën minimale 1400 euro pa përfshirë shtesat, kurse në Kosovë një infermier merr 588 euro me rritjen e fundit.

    “Pagat e ulëta, mungesa e stafit mbështetës, mbi ngarkesa e punës, presioni në punë janë disa nga arsyet që infermierët kosovarë lënë vendin. Ligji i pagave i miratuar nga Qeveria asnjëherë nuk mund të krahasohet me kushtet që i ofron shteti gjerman. Paga e një infermieri në Gjermani është 1400 euro neto pa përfshirë shtesat, ndërrimet e natës, vikendet dhe festat”, tha Berisha për Insajderin.

    Fenomenin e ikjes së personelit shëndetësor jashtë vendit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka cilësuar çështje mjaftë brengosëse për qeverinë dhe MSH.

    Por, i njëjti mendon se me Ligjin e ri të Pagave punonjëseve shëndetësor janë pikërisht kategoria që kanë përfituar më të shumti.

    Po është e vërtetë, jemi ka përballemi me mungesën e anesteziologëve, jo infermierëve deri në atë shkallë por në anën tjetër po, po na brengos neve si Ministri e Shëndetësisë edhe si Qeveri në total ikja e profesionistëve shëndetësor jashtë vendit. Në këtë drejtim, jemi munduar edhe në raport me koeficientet tani, mendoj që profesionistët shëndetësor kanë përfituar më së shumti nga çdo kategori tjetër”, ka deklaruar ministri pas mbledhjes së qeverisë.

    Gjermania është vendi që më së shumti ka joshur mjekët dhe infermierët kosovarë të cilët në vitet e fundit, kanë ikur nga vendi masivisht për kushte dhe paga më të mira.

    687 infermierë kanë kërkuar vërtetime nga Oda e Infermierëve të Kosovës për emigrim gjat vitit 2022./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark