As SHBA dhe as Ukraina, ja cili shtet është më armiqësori në botë për rusët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    As SHBA dhe as Ukraina, ja cili shtet është më armiqësori në botë për rusët

    Insajderi
    12 June 2025 - 14:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një ndryshim domethënës në perceptimin e rusëve për vendet mike dhe armiqësore ka dalë në pah nga sondazhi i fundit vjetor i kryer nga Qendra Levada në Rusi. Sipas këtij sondazhi, për herë të parë që prej vitit 2013, Shtetet e Bashkuara nuk janë më vendi që perceptohet si më armiqësori nga rusët – një vend që tani mbahet nga Gjermania dhe Britania e Madhe.

    Gjermania kryeson listën e vendeve që konsiderohen më armiqësore nga rusët me 55% të përgjigjeve, ndjekur nga Britania me 49% dhe Ukraina me 43%. SHBA renditet në vendin e katërt me 40%, një rënie prej 36 pikësh krahasuar me majin e vitit 2024. Kjo rënie e ndjeshme në perceptimin negativ ndaj SHBA-ve lidhet edhe me ndryshimin e qëndrimeve të brezit të ri, të cilët e shohin këtë vend më shumë si një destinacion turistik sesa si armik.

    Në vijim të listës armiqësore janë edhe Polonia (37%), Franca (32%) dhe vendet baltike si Lituania dhe Letonia (28%). Sipas analistëve të Levada, ndryshimi i këtij perceptimi lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin e vendeve të NATO-s dhe BE-së ndaj luftës në Ukrainë, si dhe me sanksionet kundër elitës ekonomike dhe sektorëve strategjikë rusë, shkruan A2 CNN.

    Në anën tjetër, kur pyeten për vendet mike, shumica e rusëve përmendin Bjellorusinë (80%) dhe Kinën (64%) si aleatët më të ngushtë. Më tej renditen Kazakistani (36%), India (32%) dhe Koreja e Veriut (30%). Vlen të theksohet se perceptimi pozitiv ndaj Kinës dhe Bjellorusisë është rritur ndjeshëm që nga viti 2012.

    India gjithashtu ka përfituar nga klima e re gjeopolitike, me një rritje të mbështetjes nga rusët që prej vitit 2022, në kontekstin e luftës në Ukrainë. Ndërkohë, perceptimi i iranianëve dhe armenëve si aleatë ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme, përkatësisht në 11% dhe 9%.

    Lidhur me Bashkimin Europian, qëndrimi është përgjithësisht negativ: 64% e rusëve kanë një perceptim të keq, ndërsa vetëm 21% shprehin një qëndrim pozitiv. Ndër të rinjtë nën 24 vjeç, kjo shifër arrin në 38%, veçanërisht mes atyre që informohen përmes kanaleve alternative si YouTube. Përkundrazi, ata që informohen nga televizionet shtetërore mbeten shumë më negativë ndaj BE-së.

    Sondazhi tregon qartë një zhvendosje të orientimeve gjeopolitike të shoqërisë ruse, me theks të fortë drejt Lindjes dhe një rënie të mbështetjes apo afrimit me Perëndimin. (A2 Televizion)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark