×
  • Lajme
  • Lajme

    Asamblistët e VV-së dhe të PSD-së kapen për NPB-në

    Insajderi
    31 May 2018 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mbledhjen e pestë të Kuvendit komunal të Prishtinës u diskutua edhe për ndërmarrjet publike, ku pati përplasje mes asamblistëve të Vetëvendosjes dhe PSD-së.

    Asamblisti i Vetëvendosjes,  Egzon Azemi tha se qeverisja aktuale në komunën e Prishtinës po do t’i kapë ndërmarrjet publike. Për këtë ai kërkoi shkarkimin e Qëndrim Sahitit nga Ndërmarrja Publike Banesore.

    “Vlerësoj se si Kuvend e kemi obligim që të reagojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi nga kryetari Ahmeti. Gjithashtu kërkoj që të bëjmë shkarkimin e Qëndrim Sahitit që do të jetë në dobi të forcimit të pasurive të përbashkëta. Ne si Kuvend e kemi këtë mundësi që ta bëjmë”, kërkoi Azemi.

    I menjëhershëm ishte reagimi i taborit tjetër, asamblistëve që përkrahin Shpend Ahmetin.

    Nol Nushi, tha se sikur të kishin dashur t’i ‘kapin’  ndërmarrjet publike nuk do ta kishin ftuar ambasadën e Britanisë së Bashkuar për të monitoruar garën për drejtues dhe bord të ndërmarrjeve.

    “Te NPB-ja, ku po e dini ju se prapë nuk zgjidhet drejtuesi i njëjtë? Një drejtues i mirë ka mandat, ai ka të drejtë të zgjidhet prapë. Del konkursi, zgjidhet bordi dhe zgjidhet drejtuesi. Egzoni tha ‘shumica e ndërmarrjeve publike mandatin e kaluar kanë funksionuar mirë’. Veç kuptojeni që nuk ka drejtues të përhershëm. Me dasht me i kap ne ndërmarrjet publike, nuk e kishim ftuar Ambasadën e Britanisë së Bashkuar për monitorim të garës”, tha Nushi.

    Nushi tha se Ministria i ka kthyer vendimet si të parregullta. Por theksoi se ajo shkelje nuk ka pasur efekt juridik, ka qenë një gabim, është rregulluar.

    “Çka janë këto tendenca, u bë një gabim e qone në shtëpi. Kur vërehet tendencë e qartë, dhe prej atyre ‘gabimeve’ është shkaktuar dëm në ndërmarrje, atëherë ndryshe. Por nuk ka asnjë arsye për një gjë të tillë”, shtoi ai.

    Shefki Gashi nga LDK-ja tha se mandatin e kaluar disa ndërmarrje janë menaxhuar më mirë. Derisa pati një mesazh për asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Juve po ju them ose dilni në opozitë ose nuk ka opozitë në pozitë”, tha ai.

    Egzon Azemi këtu pati një kundër-replikë ku tha se çuditet me pazaret publike të asamblistit Shefki Gashi, për të cilin tha se bëri thirrje për të hyrë në koalicion për të ndarë ndërmarrjet.

    Ndërsa Blerand Stavileci tha se tash po dëgjojnë gjëra që PDK-ja i ka thënë më herët.

    “Jemi lodhë krejt, janë lodhur qytetarët. Po prapë niveli lokal i ka disa pika. Në komunën e Prishtinës nuk e di asnjë temë që dikush mundet me na nalu, veç duhet punë. Le që kryejmë pumë, por ia heqim edhe vetes do kilogramë duke punu”, u shpreh Stavileci.

    Tutje, Stavileci shtoj se askujt nuk i intereson se çka ka ndodhur në aksin VV-PSD. Derisa tha se nëse kanë për të qëruar hesape, le t’i qërojnë mes vete.

    Ndërkaq, Fadil Gashi nga AAK, tha se pikërisht diskutimi që do të pasonte, ishte arsyeja se pse nuk votuan për futjen e kësaj pike në rend të ditës.

    Vesel Makolli nga AKR tha se mbledhjet e kuvendit të Prishtinës duhet të dallojnë nga mbledhjet e qyteteve tjera.

    “Ne nuk jemi kuvendi i Drenasit apo Skenderajt, por jemi kuvendi republikan. Unë kisha kërkuar që të ndërpritet ky diskutim. Kërkund në botë nuk shkon kjo si pikë e parë. Kjo duhet të parashtrohet me shkrim. Qe 5 orë kurrgjë s’kemi bërë, veç tu fol për me dalë në kamerë”, u shpreh ai.

    Dren Kukaj, aksionar NPB, tha se nuk do të përgjigjet në gjuhën e asamblistëve të VV-së, duke aluduar në kërkesën e Egzon Azemit.

    “Je duke i shkaktuar dëm një ndërmarrjeje vetëm për shkak të dy personave. Ne si aksionarë të Ndërmarrjes Publike Banesore na është  pamundësuar kyçja në bordin e kësaj ndërmarrjeje. E kam të vështirë të kuptoj se si një organizatë si VV vjen në këtë pikë dhe mbron një veprim si ky”, tha Kukaj. /KP

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark