×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Asamblistja e PDK’së në Pejë rrugës për t’u bërë ‘inspektore e tregut’: Edhe unë si çdo qytetarë kam pas të drejtë të aplikoj

    Insajderi
    20 September 2024 - 14:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Xhevahire Çeku Kelmendi, asambliste e PDK’së në Pejë, është rrugës për t’u bërë “inspektore e tregut”. Çeku Kelmendi, është përzgjedhur kandidate fituese me më së shumti pikë. Ditë më parë Insajderi ka raportuar për disa punësime familjare në Pejë. Duke kujtuar se LDK’ja dhe PDK’ja në Pejë kanë koalicion për bashkëqeverisje në këtë komunë, opozita kanë hedhur akuza ndaj Gazmend Muhaxherit dhe Xhavit Halitit për koalicion me korrupsion e nepotizëm.

    Gazeta Insajderi

    Me datën 28 gusht është publikuar njoftimi përfundimtar i rezultateve në konkursin për pozitën “Inspektor Tregu”.

    Pas testimit me shkrim, vlerësimit të intervistës dhe vlerësimit të biografisë, kandidate fituese është zgjedhur Xhevahire Çeku Kelmendi.

    Xhevahire Çeku Kelmendi ka arritur 89.6 pikë.

    Për këtë konkurs ka afat 30 ditor për ankesa, në rast të kësaj ka mundësi që të anulohet konkursi, përndryshe kandidatja fituese, pranohet zyrtarisht në pozitën e cekur.

    Xhevahire Çeku Kelmendi e zgjedhur si fituese për pozitën “Inspektore tregu”, është asambliste e Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Pejës.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar asamblisten e PDK’së, Xhevahire Çeku Kelmendi, e cila mohoi të ketë pasur ndonjë konflikt interesi në përzgjedhjen e saj.

    Ajo tha se si çdo qytetarë ka pasur të drejtë të aplikoj, pasi që konkursi ka qenë publik. Duke shtuar se nuk ka ndikuar asgjë as pozita as partia.

    “Sa i përket konkursit për inspektor të tregut, konkursi ka qenë publik, edhe unë si çdo qytetarë kam pas të drejtë të aplikoj. Pas verifikimit të dokumentacionit jemi ftuar për test i cili është mbajtë në mënyrë elektronike në Prishtinë, të cilin e kam kaluar me sukses, më pas jam ftuar për intervistë, ku si komision kanë qenë pesë anëtar. Edhe për intervistë janë publiku rezultatet e arritura. Çdo hap ka qenë transparent dhe i publikuar. Kështu që fare ska pas të bëjë pozita as partia. Tani jemi në 30 ditëshin e afatit të ankesave. Mbetet për të parë çka me tutje…”

    Gazeta Insajderi ditë më parë ka raportuar për punësimet familjare në komunën e Pejës.

    Në dy konkurse të hapura, janë zgjedhur fitues familjarët e dy drejtoreshave të komunës së Pejës të cilët janë rrugës për tu bërë “zyrtarë të lartë”.

    Më saktësisht, kandidatët fitues të përzgjedhur janë njëri bashkëshorti i drejtoreshës për Administratë. Ndërsa tjetra është motra e drejtoreshës për Mirëqenie Sociale.

    Nëse brenda afatit 30 ditor askush nuk ankohet dhe nuk ka anulim të konkursit, Egzon Mullarama dhe Elodijana Mujaj Spahija, do të fillojnë punën në pozitat e përzgjedhura.

    Lidhur me punësimet familjare e partiake, kanë reaguar edhe opozita në Pejë, duke hedhur akuza ndaj kryetarit, Gazmend Muhaxherin si dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Halitit.

    Në reagim thuhet “KOALICIONI I VJETËR- KORRUPSION E NEPOTIZËM- GAZMEND E XHAVIT!

    A ka mbetur ndonjë vend pune në Komunë që nuk ndahet mes tyre? Ky sistem i kapur përfaqëson vetëm interesa të miqve dhe të afërmve të Gazmend Muhaxherit e Xhavit Halitit. Profesionistët e qytetarët e Pejës, mbesin të papunë e të pashpresë!Ky sistem i kapur përfaqëson vetëm interesa të miqve dhe të afërmve të Gazmend Muhaxherit e Xhavit Halitit. Profesionistët e qytetarët e Pejës, mbesin të papunë e të pashpresë!”

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe në komunën e Pejës, mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer pergjigje./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark