Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i është kundërpërgjigjur me të njëjtën gjuhë Drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili sot tha se ministrja kosovare ishte “kontrabanduar me një Dacia të vjetër” për të shkuar në pjesën veriore të Kosovës.
Tahiri ka thënë se Gjuriqin “e ka kapur çmenduria” dhe se “ai edhe të gjithë zyrtarët e Serbisë e dinë se është shteti i Kosovës”.
Tahiri po ashtu e ka akuzuar atë për “kontrabandim” në territorin e Kosovës përmes një autoambulance.
“Janë ata që marrin leje për të hyrë në Kosovë, bëhet të sëmurë dhe hyjnë nëpër autoambulanca, pra janë ata që kontrabandohen”, ka thënë Tahiri.
“Jam e bindur se këto deklarata të tij janë bërë për konsum të brendshëm”, ka thënë Tahiri për Klan Kosovën.
Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, e cila sot ishte në pjesën veriore të Kosovës, është “kontrabanduar” në atë pjesë “me një Dacia të vjetër.”
Sipas Gjuriqit, Tahiri nuk është dashur të bëjë një gjë të tillë, sepse sic thotë ai, edhe ajo është qytetare e Serbisë.