
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi që po mbahet në Dhomat e Paraburgimit në Hagë.
Krasniqi ka thënë se Thaçi s’ia paraqiti atij asnjë ankesë e “asnjë shenjë hidhërimi” edhe pse iu mohua e drejta për ta vizituar babain me gjendje të rënduar shëndetësore, shkruan Insajderi.
“Sot, një tjetër vizitë në Hagë – në një vend që për Hashim Thaçin dhe çlirimtarët tanë është një betejë e re. Një front ku liria tash e pesë vjet po mbrohet ndryshe – me qëndresë dhe dinjitet.
Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë – e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm.
Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë.
Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet – me dritën e së vërtetës dhe të lirisë – Dielli do të lindë përsëri”, thotë Krasniqi. /Insajderi.org/