![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Temë diskutimi gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës është gjendja në shëndetësi. Mirëpo në këtë seancë aktualisht nuk është i pranishëm asnjë nga ministrat e Qeverisë.
Lidhur me këtë ka shkruar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila ka ndarë edhe pamje duke thënë se Qeveria nuk e ka pa të rëndësishme të marrë pjesë në këtë seancë.
“Pamje nga Kuvendi i Kosovës. Debati për shëndetësinë nga PDK. Asnjë akter qeveritar nuk e ka pa të rëndësishëm dhe nuk ka ardhë. Kaq për fokusin e tyre në këtë lëmi. Deputetët po flasin me njani – tjetrin. Turp”, ka shkruar Hoxha.
Ajo tutje e ka përmendur edhe faktin se tash e dy muaj nuk është emëruar ministri i ri i Shëndetësisë.
“Atje jashtë tash e dy muaj nuk ka ministër të shëndetësisë. Shumica e posteve menaxhuese janë me ushtrues detyre. Nuk ka material shpenzues, nuk ka as barna esenciale, lista e pritjes për një shërbim është e gjatë….etj, etj, etj… E si përfundim nuk ka as vëmendje”, ka shkruar deputetja e PDK-së, duke publikuar edhe pamje nga Kuvendi ku shihet se në ulëset e ministrave nuk është askush i pranishëm.