Të hënën u pranua zyrtarisht propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan që nuk do të diskutohet më shumë për propozimet. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaroi se në mars pritet të finalizohet aneksi i zbatimit që është pjesë integrale e kësaj marrëveshjeje.
“Plani franko-gjerman duhet të ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Kështu deklaronte një muaj më parë kryeministri, Albin Kurti.
Teksa fliste për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë, Kurti theksonte se Kosova nuk duhet të shoh nga e kaluara dhe sipas tij plani franko-gjerman është një bazë e mirë për të ardhmen e vendit tonë.
Ndonëse u bë e ditur se ky propozim evropian nuk e ka në qendër njohjen reciproke, Kurti pas takimit me Vuçiqin në Bruksel u shpreh i gatshëm të nënshkruante këtë propozim. Ai theksoi se pala serbe nuk kishte pranuar, shkruan Insajderi.
Sa i përket zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që është pikë e 10 e këtij propozimi, Kurti iu shmangë pyetjeve të gazetarëve.
“Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”
Pas përfundimit të takimit Kurti-Vuçiq, opozita kosovare pati një varg kritikash ndaj kryeministrit.
I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se ndodhi ajo që e kishin paralajmëruar. Sipas, Krasniqit kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të kryeministrit Kurti.
“Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë. Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”, potencoi Krasniqi.
Se u “vërtetuan brengat e LDK-së për dialogun”, e tha lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Ai theksoi se me këtë marrëveshje është arritur qëllimi i Serbisë pasi sipas tij, ka gjithçka përveç njohjes.
“Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe”, tha Abdixhiku.
Lideri i LDK-së shtoi se kryeministrit Kurti i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë sipas tij, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake ka pranuar që ta themelojë atë.
Përmbajtja e planit franko-gjerman
Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Propozimi përmban gjithsej 11 nene.
Neni 10 e bënë të qartë se pala kosovare ka pranuar që të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, thuhet në këtë pikë të propozimit.
Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:
Palët e dakorduara,
Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,
Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,
Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,
Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,
Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,
Kanë rënë dakord si më poshtë:
Neni 1
Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.
Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.
Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.
Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.
Neni 7
Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.
Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9
Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Neni 10
Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.
Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Neni 11
Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si shtojcë në këtë Marrëveshje. /Gazeta Insajderi