Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, e riartikuloi të njëjtin frazim se çështjes së formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “nuk mund t’i ikë një parti ose individ i vetëm”, shkruan Insajderi.
Këtë koment ai e bëri gjatë kohës kur në rajon kanë zbarkaur zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.
Këshilltari i lartë i DASh’së, Derek Chollet, ishte poashtu i prerë se “Asociacioni dueht të formohet” derisa shtoi edhe se ngjarjet e fundit në pjesën veriore të vendit “e kanë nënvizuar nevojën” për themelimin e tij.
Por, një gjë çka përbën qëndrim amerikan, tha Chollet, është se ShBA nuk mbështet ndofarë Asociacioni që do të ishte “Republikë Serbe”.
“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Srpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, tha Chollet në Prishtinë të mërkurën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” përsëriti qëndrimin e kahershëm të tij se nuk do të ketë Asociacion një-etnik.
“Kushtetuta jonë nuk lejon Asociacion të bazuar mbi kritere etnike, sepse paragrafi i parë i Planit të Ahtisaarit thotë se Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike”, tha ai.
Kurti përsëriti sugjerimet e tij se mund të ketë aranzhime të llojeve gjeografike ose zhvillimore si ato Maleve të Rugovës ose Maleve të Sharrit, “por nuk duhet të jetë e themeluar mbi identitet nacional”.
“Gjithashtu habitem se pse plani i Ahtisaarit s’po mjaftoka, përmban shumë mbrojtje të drejtave të pakicave për serbët”.
Pyetur se a i frikësohet një entiteti serb siç është në Bosnje-Hercegovinë, Kurti tha se “është intencë tejet e qartë” që të jetë e tillë, përcjell Insajderi.
“Vuçiçiq i kam thënë se kam përshtypjen se nuk dëshiron Asociacion të Komunave, sepse nuk mund të dëshironi Asociacion të Komunave dhe të thoni çdo javë: nuk do ta njohim shtetin e Kosovës”.
Kujtojmë se Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë e kishte paraqitur për fakt të kryer se “Asociacioni do të bëhet”, dhe madje, siç thoshte ai, “me ose pa” përfshirjen e qeverisë kosovare.
Në anën tejtër, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ishte shprehur se “të jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejme [Kosovë-Serbi] pa u zgjidhur çështja e Asociacionit”.
Ndërkaq, të mërkurën, kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, tha se kanë marrë një premtim amerikan që çështja e Asociacionit do të jetë në tryezën e bisedimeve në këtë muaj të janarit./Insajderi/