Askush në Bashkimin Evropian por edhe askush në Kosovë nuk do të lejonte që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të bëhet një “Republikë Serbe e Dytë”. Kështu mendon Marina Vuloviç, studiuesja dhe hulumtuesja në “Stiftung Wissenschaft und Politik” (SWP), instituti gjerman këshilldhënës për Bundestagun gjerman dhe Qeverinë e Gjermanisë. Megjithatë, në një bisedë me Insajderin, Vuloviç numëron arsyet se pse ky Asociacion/Bashkësi është i nevojshëm për t’u themeluar “sipas ligjeve të Kosovës”. Ajo argumenton se “përkundrazi sovraniteti i Kosovës do të fuqizohej me këtë Asociacion” kur në pjesën veriore të vendit institucionet shtetërore të Kosovës “të jenë e vetmja lojë qytet”.
“Unë qëndroj në këtë sepse – kështu siç janë gjërat tani – veriu nuk është plotësisht i integruar në strukturat shtetërore të Kosovës dhe njëra nga mënyrat për ta arritur këtë është të formohet Asociacioni/Bashkësia e cila do të zhbënte strukturat paralele serbe në komunat të banura me shumicë serbe. Kjo përfundimisht do të fuqizonte sovranitetin e Kosovës atje, nëse institucionet e Kosovës janë ‘Loja e vetme në qytet’. Nuk ka mënyrë tjetër për të integrruar komunitetin serb në veri përveç përmbushjes së asaj që është premtuar në 2013’ën”, thotë studiuesja e cila ditë më parë doli me një analizë rreth Plan-Propozimit të BE’së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithëse Vuloviç është e bindur që as BE e as Kosova nuk do të lejonin një aranzhim komunash çfarë është entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, ajo megjithatë konsideron është e mundshme që ajo të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, dhe që për synim përfundimtar të ketë avancimin e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Ajo mendon se draft-Statuti çfarë e paraqiti muaj më parë FES-i gjerman në Kosovë, është model për t’u bazuar.
“Ka mënyra që themelimi i këtij Asociacioni/Bashkësie të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës, që është dëshmuar edhe nga Friedrich Ebert Stiftung. Sidoqoftë, duhet që gjithashtu të ketë vullnet politik për të ndërtuar mekanizmat e duhur që do të siguronin se Beogradi nuk do ta plaçkisë (hijack) këtë Asociacion për qëllime të saj politike. Asociacioni/Bashkësia duhet të avancojë të drejtat e komunitetit lokal, siç edhe është paramenduar fillimisht”, tha ajo për Insajderin.
Pesësja mosnjohëse
Në analizën e saj të botuar në SWP, Vuloviç vlerëson se BE për të themeluar kredibilitetin e saj në sytë e qeverisë së Kosovës, duhet që pesëshja mosnjohjëse e saj “të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”. Pyetur nga Insajderi “pse normalizim, pse jo njohje”, ajo vlerëson se gjithsesi njohja juridike “do të ishte më e thjeshta dhe më elegantja” por se një gjë e tillë duhet që “përfundimisht t’u lihet atyre”.
“Pjesë e procesit të negociatat sigurisht se mund të jetë njohja, qoftë de jure ose de facto. Për sa kohë i lejon këto shtete të formalizojnë marrëdhëniet me njëra tjetrën. Kjo përfundimisht duhet t’i lihet vetë atyre pesë shteteve të BE’së, por siç edhe kam dhënë paraprakisht qëndrimin se njohja (de jure) do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe më elegantja, sepse nuk lë çështje të hapura për llojin e relacionit që ekziston mes dy shteteve. Gjithçka e ndërmjetme trubullon ujërat dhe mund të prodhojë konflikt”, vlerëson ajo.
Angazhimi i ShBA’së në afrimin e Serbisë kah Perëndimi
Pyetur se si e sheh angazhimin e madh amerikan në afrimin e Serbisë drejt rendit perëndimor të botës dh se a mund të jetë kjo në “detriment të kosovarëve”, studiuesja në SWP nuk e sheh si të tillë. Një qasje e till e ShBA’së nuk e rrezikon Kosovën, shprehet ajo.
“ShBA provon të balancojë në situatën e tanishme gjeopolitike, ku mbajtjen e Serbisë në rrugën evropiane dhe afër aleatëve perëndimor është një strategji për të cilën ata mendojnë se do t’u shpaguhet. Nuk mendoj se kjo domosdoshmërisht duhet të jetë në detriment të Kosovës. Për sa kohë Kosova mund të avancojë synimet e saj politike ndërkombëtarisht, pavarësisht për shembull përfitimeve të ndihmës ekonomike për Serbinë ose investimet që i vinë nga ShBA’ja, nuk shoh se si kjo mund ta rrezikonte politikisht Kosovën”.
“Sigurisht, Serbia nuk është mburojë e demokracisë në Ballkan dhe unë mund ta kuptoj pse çfarëdo mbështetje e ShBA’së për Serbinë mund të jetë si therrë në sy për Kosovën, por ShBA ka shumë më shumë çka të fitojë duke e mbajtur Serbinë afër vetes se sa ta alienojë, kjo për hir të stabilitetit të rajonit. ShBA kaherë ka ndjekur politika të stabilitetit në Ballkan dhe ky imperativ veç sa është forcuat edhe më shumë nga lufta ruse në Ukrainë”, shtjellon Marina Vuloviç.
Në dritën e kësaj, Vuloviq beson se është e mundshme që Serbia së paku të reduktojë marrëdhënien e saj me Rusinë. Madje, sipas saj, po qe se arrihet marrëveshja e propozuar nga BE, kjo do t’i hiqte Rusisë një levë të madhe ndikimi në Serbi.
“Mendoj se ka një shans që Serbia të zvogëlojë bashkëpunimin me Rusinë nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, vetëm sepse një levë e madhe e ndikimit rus në politikën serbe do të zhduket. Sidoqoftë, Serbia nën lidershipin e Vuçiqit do të vazhdojë së përdoruri lidhjet e saj me Rusinë për sa kohë kjo marrëdhënie është në përfitim të Vuçiqit. Ai është pjesërisht përgjegjës për sentimentit pro-rus që është farkëtuar në Serbi”.
Mundësia që të ketë marrëveshje
Sa i përket Plan-Propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo është optimiste se mund të arrihet dhe vlerëson aspeketet pozitive implicite në të. Me t’u pranuar kjo marrëveshje, sipas saj, hapet rruga drejt një marrëveshje gjithpërfshirëse në 10 ose 20 vitete ardhshme.
“Dua të mendoj se një marrëveshje është e mundshme. Sidoqoftë, paqja dhe normalizimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve mund të arrihet vetëm nëse të dy palët mbajnë mendimin e njëjtë në lidhje me shtetësinë e Kosovës”.
“Mendoj se një marrëveshje që do të garantonte njohjen de facto të Kosovës nga Serbia do të mund të shtronte rrugën për njohjen e mëvonshme de jure, në 10 ose 20 vite, kur perceptimi i Kosovës si një entitet politik krejtësisht më vete bëhet shprehi dhe e normalizuar në Serbi. Nuk shoh se si Serbia do të mund ta pranonte pavarësinë de jure tash për tash, por besoj se kjo arrihet me ndryshim gradual, dhe, më me rëndësi, me ndryshimin e lidershipit serb drejt opsionit politik demokratik dhe me përmirësim socio-ekonomik”, përfundon Marina Vuloviç në një bisedë me Insajderin.