Asociacioni, Personat e Pagjetur, mosnënshkrimi i marrëveshjes – Krejt çfarë deklaroi Vuçiq pas takimit me Kurtin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Asociacioni, Personat e Pagjetur, mosnënshkrimi i marrëveshjes – Krejt çfarë deklaroi Vuçiq pas takimit me Kurtin

    Insajderi
    19 March 2023 - 11:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fjalimin e tij shpjegues për takimin e djeshëm 13 orësh në Ohër, Presidenti i Sebrisë, Aleksandar Vuçiq, e nisi me fjalinë se “më nuk varemi nga vullneti i mirë i Prishtinës” dhe se “ky është mesazhi pozitiv”, shkruan Insajderi.

    Në lidhje me atë se pse nuk ka nënshkruar tekstin bazë as më 27 shkurt edhe as dje më 18 mars Aneksin e Zbatimit, Vuçiq tha se “Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht ndërsa ajo që ata e quajnë Republika e Kosovës nuk është”, dhe se prandaj “në rend të parë” kjo ishte arsyeja pse nuk firmosi.

    Vuçiq tha se “askush të mos mendojë se mund t’i imponojë diçka Serbisë” por se është i gatshëm “të punojë në zbatimin e Planit/Aneksit deri në vijat e kuqe”.

    “Gjithmonë kam thënë se ne e pranojmë konceptin, do të punojmë në implementim, jemi të gatshëm të bëjmë më shumë se dikush nga Prishtina”.

    Në lidhje me atë se pse nuk u pajtuan rreth një deklarate për Personat e Pagjetur, Vuçiq tha se pati ngërç ngase Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insistoi në çështjen e reparacioneve të luftës. “Fatkeqësisht, Prishtina e përdori atë si një formë presioni ndaj Serbisë për shkak të reparacioneve të luftës”, tha ai.

    Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati tri kushte/shtylla rreth asaj se si një Asociacioni i tillë do të ishte i bëshëm në Kosovës, tha Aleksandar Vuçiq, shkruan Insajderi.

    Kushtetuta e Kosovës, Letra e ish-Përfaqësues së Lartë të BE’së, Federica Mogherini që i kishte dërguar ish-Kryeministrit Isa Mustafa (ku garantohej që Asociacioni s’do të kishte kompetenca ekzekutive e as nuk do të përbënte nivel të tretë të ndërmjetmë të pushtetit), si dhe editoriali i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobaer.

    “Ne kemi nevojë për Asociacion kudo ku jetojnë serbët, por sigurisht shumë më tepër në jug sesa në veri. Kjo do t’u japë serbëve një kornizë institucionale dhe një kuvend, një president që do të komunikojë edhe me autoritetet qendrore. Çfarëdo që të thoni, por kjo është ajo që është e rëndësishme për ne”, tha ai.

    “Është gjithmonë një avantazh për mua kur zgjat 12-13 orë sepse jam më i qëndrueshëm se të tjerët. Problemi është kur zgjat 2-3 orë. Është e rëndësishme të fillojmë tani, është ekipi drejtues serb, ata do të duhet të paraqesin propozimin e tyre në nivelin më të lartë të dialogut, ne do të shkojmë me të, do të shohim se si do të shkojë gjithçka”.

    “Nuk ka detyrime të mëtejshme për ne. Për ne është shumë më e rëndësishme që të krijohet një mjedis në të cilin serbët e Kosovës do të jenë të sigurt, populli ynë do të ketë paqe kudo që jeton dhe të ruajë shtetin dhe të respektojë Kushtetutën e Serbisë”.

    “Mund të shkruaja 300 faqe vetëm për ditën e djeshme, nuk po them që fjalimi im është i përmbledhur apo i formuluar mirë, por mund të shkruaj kaq shumë faqe. Kemi shumë kohë për të menduar se çfarë duam me veten dhe në rajon dhe të punojmë për përparimin e përshpejtuar të ekonomisë sonë”

    “Së shpejti do të kemi bisedime me përfaqësuesit e popullit tonë në Kosovë, shpresoj të vizitoj Kosovën deri në qershor, të bisedojmë me njerëzit tanë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë tjetër për ta”, tha mes tjerash ai./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark