“Asociacioni s’duhet të themelohet pa u zbatuar marrëveshjet tjera” – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Asociacioni s’duhet të themelohet pa u zbatuar marrëveshjet tjera”

    Insajderi
    27 November 2022 - 19:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në vazhdimësi po kërkojnë nga Kosova që ta themelojë Asociacionin e komunave më shumicë serbe, pasi është marrëveshje e dakorduar në Bruksel ndërmjet palëve. Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se ky asociacion nuk duhet të bëhet pa u zbatuar marrëveshjet e tjera të nënshkruara, e që Serbia nuk po i zbaton.

    Marrëveshja e fundit e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel  do t’i hapë rrugë diskutimeve për planin evropian që ka mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës.

    Një nga pikat e këtij plani është se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet palëve duhet të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Analisti politik, Gazmir Raci, për Radio Kosovën tha se Kosova nuk duhet ta pranojë themelimin e asociacionit pa u zbatuar edhe marrëveshjet e tjera të cilat Serbia nuk po i zbaton,  siç është ajo për energjinë apo ajo për kadastër.

    “Për Kosovën janë disa marrëveshje të cilat Serbia nuk po i zbaton, siç është ajo e diplomave, e cila i prek sidomos qytetarët e Luginës, ose marrëveshja për kthimin e kadastrave, apo marrëveshja për energjinë të cilën Serbia nuk po e respekton”, deklaroi Raci për Radio Kosovën.

    Në anën tjetër, Dorajet Imeri, vlerëson se në këtë fazë Kosova nuk duhet ta pranojë themelimin e asociacionit pa e marrë njohjen e Serbisë.

    “Kjo nuk është as e duhura e as e mençura, sepse Serbia do ta përdorë politikisht atë, fillimisht dëshiron që ta bëjë asociacionin e më pas të shkohet në marrëveshjen finale e që nuk e parasheh njohjen. Prandaj, Kosova për këtë çështje duhet të tregohet e qartë, nuk mund të themelohet asociacioni, për aq kohë sa Serbia deklarohet se nuk do ta njohë Kosovës”, ka thënë Imeri.

    Në javët e fundit kërkesa kryesore e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, ka qenë që Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ndërkaq, serbët që janë larguar nga institucionet e Kosovës, kthimin e tyre po e lidhin më themelimin e asociacionit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark