
Gjykata Supreme ka marrë vendim lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, pas deklaratave të tij të bëra në një paraqitje televizive, shkruan Insajderi.
Supremja ka konstatuar se “ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje është e pa themeltë”.
Në aktvendim thuhet se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 15 shtator 2025 kishte pranuar ankesën e Vetëvendosjes, e cila pretendonte se Sami Lushtaku gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova më 13 shtator, kishte bërë thirrje të hapura për dhunë.
Lushtakut deklaronte: “Unë mendojë që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë, dhe duhet me kërkuar që ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk respektojnë Prokurorinë, unë mendojë që ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”.
Vetëvendosje kishte pretenduar se kjo shkel nenin 34, par.1, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Nga ana tjetër, PDK në përgjigjen e saj kishte theksuar se pretendimet e Vetëvendosjes nuk qëndrojnë, duke argumentuar se partia ka shpërndarë udhëzime të qarta për të gjithë anëtarët që të respektojnë ligjin dhe të përmbahen nga gjuha fyese apo kërcënuese.
Sipas PDK-së, deklarata e Lushtakut nuk ishte nxitje për dhunë, por thirrje për reagim qytetar ndaj atyre që shkelin Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke e interpretuar si një apel për përgjegjësi dhe drejtësi, e jo si nxitje për veprime të jashtëligjshme.