
Raportimi i medieve se ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka qenë në aeroplanin e Turkish Airlines që gjatë aterimit doli nga pista e Aeroportit “Adem Jashari” është mohuar nga stafi i presidentes.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo ka shkruar se nuk ka qenë në aeroplan dhe se ajo është shëndosh e mirë.
“Miq të dashur, dëshiroj t’iu njoftoj se unë nuk ndodhesha në aeroplanin që doli nga pista në aeroportin Adem Jashari. Jam shumë e lumtur dhe e lehtësuar që në këtë aksident nuk ka të lënduar. Faleminderit për kujdesin e miqve dhe familjarëve që ishin shqetësuar nga ky lajm”, ka shkruar Jahjaga.
Atifete Jahjaga ka qenë në Aeroport duke pritur që të nisë fluturimin e saj drejt Jordanisë ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Grave në Politikë.
Autoritetet në Aeroport kanë bërë të ditur se për një afat të pacaktuar aeroporti do të jetë i mbyllur për shkak të hetimeve. Është shtyrë edhe fluturimi i Jahjagës, ndërsa Samiti nisë nesër pasdite.
Rreth orës 19:30 aeroplani i Stamboll-Prishtinë doli nga pista gjatë aterimit. Një pasagjer që ka qenë në këtë aeroplan ka thënë se “kanë shpëtuar nga një aksident tragjik”.